Paolo Bonolis shfaqet me partneren e re në Londër, një 32-vjeçare që i ka marrë zemrën
Prezantuesi italian Paolo Bonolis është fotografuar në Londër me partneren e re, 32-vjeçaren Carola Moroni, duke sugjeruar se lidhja mes tyre është bërë më serioze.

Prezantuesi i njohur italian Paolo Bonolis duket se po shijon një histori të re dashurie pas ndarjes nga Sonia Bruganelli. Ai është fotografuar në Londër në shoqërinë e partneres së tij të re, 32-vjeçaren Carola Moroni, në disa momente që sugjerojnë se lidhja mes tyre është bërë tashmë më serioze. Fotot, të publikuara nga revista italiane Chi, tregojnë Bonolis dhe Moroni duke shëtitur së bashku në zonën e Covent Garden, në zemër të kryeqytetit britanik. Në udhëtim ishte edhe djali i prezantuesit, Davide Bonolis, i shoqëruar nga e dashura e tij, Martina Dotti. Katërshja duket se ka kaluar disa ditë së bashku në Londër, ku përveç shëtitjeve në qytet, kanë shijuar edhe aktivitete sportive, mes tyre lojën e padelit. Prania e djalit të Bonolis dhe partneres së tij në këtë udhëtim ka tërhequr vëmendjen, pasi sugjeron se Carola Moroni është tashmë pjesë e rrethit të tij familjar. Thashethemet për lidhjen e re të prezantuesit të emisionit Avanti un altro! nisën të qarkullonin vetëm pak ditë më parë. Pas më shumë se tre vitesh nga ndarja me Sonia Bruganelli, Bonolis duket se ka gjetur sërish dashurinë, megjithëse deri tani ai dhe partnerja e re kanë zgjedhur të mos flasin publikisht për marrëdhënien e tyre.