Taksisti që kishte 40 milionë euro në TVSH, tashmë është nën mbikëqyrje të gjyqësorëve
Autoritetet gjyqësore në Greqi kanë bllokuar llogaritë bankare dhe asetet e një taksisti që është nën mbikëqyrje për një skemë mashtrimi me TVSH, që ka shkaktuar dëm prej 40.7 milionë eurosh.

Autoritetet gjyqësore në Greqi kanë vendosur të bllokojnë llogaritë bankare, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e personave dhe kompanive të përfshira në një skemë të dyshuar mashtrimi me TVSH-në, që ka shkaktuar një dëm prej mbi 40.7 milionë eurosh.
Sipas gazetës greke Protothema, është zbuluar një rrjet kompanish që dyshohet se përdornin importe nga Kina dhe transaksione fiktive brenda Bashkimit Evropian për të shmangur taksat dhe për të përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së.
Skema funksiononte përmes kompanive greke që importonin mallra nga Kina në portin e Pireut. Në dokumente, produktet rezultonin se shiteshin në Bullgari dhe më pas në Itali e Spanjë. Por hetimet zbuluan se disa prej kompanive të paraqitura si blerëse përfundimtare, as i kishin porositur, as i kishin marrë mallrat.
Sipas autoriteteve, kompanitë e përfshira dyshohet se përdornin dy procedura doganore për të përfituar nga sistemi i TVSH-së. Në disa raste paguanin tatimin gjatë importit dhe më pas kërkonin rimbursim për shitje fiktive jashtë Greqisë. Në raste të tjera, mallrat deklaroheshin si të destinuara për vende të tjera të BE-së, duke shmangur pagesën e TVSH-së në doganë.
Nga hetimet rezulton se kompanitë kishin përfituar rreth 8.7 milionë euro rimbursime të TVSH-së, ndërsa dyshohet se kishin shmangur pagesën e të paktën 40 milionë eurove të tjera. Sipas vendimit gjyqësor, dëmi i përllogaritur nga aktiviteti i rrjetit tejkalon 40.7 milionë euro.
Një nga elementet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është përfshirja e personave që figuronin si pronarë ose administratorë të dhjetra kompanive, megjithëse deklaronin të ardhura minimale ose zero.
Mes tyre është edhe një taksist, i cili, përveç aktivitetit të tij individual, rezultonte administrator ose ortak në biznese të shumta në sektorët e restoranteve, argëtimit dhe shërbimeve, në Athinë, Mykonos dhe zona të tjera të Greqisë. Hetuesit dyshojnë se persona të tillë përdoreshin si pronarë formalë për të fshehur kontrollin real të kompanive.
Hetimi ka marrë përmasa ndërkombëtare, me të paktën 15 kërkesa bashkëpunimi drejtuar autoriteteve të vendeve evropiane, përfshirë Italinë, Spanjën, Francën dhe Gjermaninë.
Hetimet e Prokurorisë Evropiane vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë dhe përmasat e plota të skemës së dyshuar të mashtrimit.