Rruga e Kosovës drejt BE-së “kalon nga Serbia”
Përparimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian është një çështje e rëndësishme për Evropën, ndërsa për Kosovën ende nuk ka nisur zyrtarisht procesi i anëtarësimit.

Për Malin e Zi, rruga drejt Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë vendimtare. Për Kosovën, procesi ende nuk ka nisur zyrtarisht. Dy vende fqinje, me të njëjtën perspektivë evropiane, por në faza krejt të ndryshme të integrimit. Më 4 nëntor, Komisioni Evropian përcaktoi qershorin e vitit 2027 si afat orientues për nënshkrimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Ndonëse kjo nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm, do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të parë të BE-së që nga pranimi i Kroacisë, më 2013. Për vendin me pak më shumë se 620 mijë banorë, ky moment vjen pas gati 18 vjetësh nga aplikimi për anëtarësim dhe 14 vjetësh nga nisja e negociatave. “Mali i Zi ka dëshmuar se procesi i anëtarësimit mund të sjellë ndryshime të rëndësishme, kur një vend është i përkushtuar t’i përmbushë kriteret e anëtarësimit dhe t’u qëndrojë besnik vlerave evropiane”, tha komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Përparimi i Malit të Zi vjen në kohën kur Bashkimi Evropian e sheh zgjerimin edhe si çështje sigurie. Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi llogaritjet e Brukselit, duke e kthyer pranimin e vendeve të reja jo vetëm në shpërblim për reformat, por edhe në instrument për forcimin e sigurisë evropiane dhe kufizimin e ndikimit të Moskës. Megjithatë, ky ndryshim nuk ka sjellë përparim për të gjitha vendet që synojnë anëtarësimin. Në dhjetor të vitit 2022, kur Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, kryeministri Albin Kurti e cilësoi atë ditë historike për vendin dhe të rëndësishme për demokracinë evropiane. Gati katër vjet më vonë, optimizmi i asaj dite nuk është përkthyer në hapa konkretë. Kosova ia dorëzoi aplikimin Çekisë, e cila atëherë kryesonte Këshillin e BE-së. Që nga ajo kohë, tetë presidenca janë ndërruar në krye të këtij institucioni, nga Suedia e Spanja deri tek Irlanda, e cila e mban aktualisht kryesimin. Asnjëra nuk e ka përcjellë aplikimin e Kosovës në Komisionin Evropian për vlerësim – hap i nevojshëm për nisjen e shqyrtimit formal të kërkesës. Për këtë, Komisionit i duhet një kërkesë nga Këshilli i BE-së, ku përfaqësohen shtetet anëtare. Kryeministri Kurti këmbëngul se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk pasqyron përparimin e arritur nga vendi. “Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, dhe përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, tha Kurti. Pritja e Kosovës është e pazakontë krahasuar me përvojën e vendeve të tjera të rajonit. Serbisë, e cila priti më së gjati në Ballkanin Perëndimor për këtë fazë, aplikimi iu përcoll për vlerësim te Komisioni Evropian pas rreth dhjetë muajsh. Malit të Zi iu deshën rreth katër muaj, ndërsa Maqedonisë së Veriut më pak se dy. Kosova, edhe pas gati katër vjetësh, nuk e ka kaluar këtë prag. Çfarë e mban peng Kosovën? Një pjesë e përgjigjes mund të kërkohet te përparimi i kufizuar në reforma. Raporti i sivjetmë i Komisionit Evropian evidenton mungesë përparimi në gjyqësor, rezultate të kufizuara në luftën kundër korrupsionit dhe zbatim të kufizuar të marrëveshjeve me Serbinë. Edhe kriza e gjatë institucionale ka ngadalësuar reformat evropiane. Por, raporti nuk i identifikon shprehimisht këto mangësi si arsye për mosshqyrtimin e aplikimit.