Vinjeta për automjetet e huaja: Si do të funksionojë sistemi i ri i tarifimit për përdorimin e rrugëve kombëtare
Projektligji i depozituar në Kuvend nga socialistët parashikon një sistem të ri tarifimi për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar. Automjetet që hyjnë në Shqipëri me targa të huaja do të duhet të pajisen me vinjetë, me vlefshmëri nga një ditë deri në një vit.

Projektligji i depozituar në Kuvend nga socialistët parashikon një sistem të ri tarifimi për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar. Automjetet që hyjnë në Shqipëri me targa të huaja do të duhet të pajisen me vinjetë, me vlefshmëri nga një ditë deri në një vit.
Automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë do të duhet të pajisen me vinjetë në momentin e hyrjes në vend. Shitja do të kryhet nga shoqëria aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR), në pikat e kalimit kufitar, si dhe nëpërmjet kanaleve elektronike. Pagesa do të mund të kryhet edhe paraprakisht, përpara hyrjes në territorin shqiptar.
Për automjetet e lehta, projektligji parashikon disa periudha vlefshmërie: një ditë, dhjetë ditë, tridhjetë ditë dhe një vit. Kjo do të thotë se një turist apo shtetas i huaj që hyn në Shqipëri me automjetin e tij nuk do të jetë i detyruar të paguajë një tarifë vjetore, por mund të zgjedhë periudhën e përdorimit të rrjetit rrugor.
Tarifa do të ndryshojë në varësi të kategorisë së automjetit dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë. Projektligji përcakton kufijtë maksimalë të tarifave për automjetet e lehta, të llogaritura në raport me tarifën vjetore. Konkretisht, tarifa nuk mund të kalojë 9% të tarifës vjetore për vinjetën ditore, 11% për vinjetën 7-ditore, 12% për vinjetën 10-ditore, 19% për vinjetën 30-ditore dhe 30% për vinjetën 60-ditore.
Për autobusët parashikohen gjithashtu periudha ditore, javore, mujore dhe vjetore. Tarifa ditore nuk mund të kalojë 2% të tarifës vjetore, ajo javore 5%, ndërsa tarifa mujore 10%.
Për automjetet e regjistruara në Shqipëri, vinjeta vjetore përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pa krijuar një procedurë të veçantë pagese. Në relacion, propozuesit argumentojnë se kjo mënyrë shmang krijimin e një detyrimi të dytë administrativ për drejtuesit e automjeteve shqiptare.
Ndërkohë, për automjetet me targa të huaja, vinjeta do të blihet drejtpërdrejt në momentin e hyrjes në Shqipëri ose paraprakisht në mënyrë elektronike. Pra, edhe pse projektligji krijon kuadrin e përgjithshëm të vinjetës për përdorimin e rrjetit rrugor, mekanizmi i ri i blerjes në kufi dhe pagesës sipas kohëzgjatjes së qëndrimit lidhet me automjetet e regjistruara jashtë vendit.
Nisma parashikon që automjetet të mos paguajnë dy herë për të njëjtin segment rrugor. Për këtë arsye, nga rrjeti i vinjetës përjashtohen infrastruktura rrugore me koncesion, urat, tunelet dhe rrugët malore për të cilat është vendosur një tarifë e veçantë përdorimi.