Tre hajdutët që vidhnin të dhënat e Digitalb dënuhen me nëntë muaj burgim
Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar tre shtetasët për pirateri, pasi u gjetën fajtorë për mashtrim kompjuterik. Ata ofronin paketa televizive të platformave si Digitalb, pa pasur licencë apo autorizim.

Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar tre shtetasët për pirateri, pasi u gjetën fajtorë për mashtrim kompjuterik. Ata ofronin paketa televizive të platformave si Digitalb, pa pasur licencë apo autorizim.
Tre shtetasët, Franci Çela, Erlin Xhucani dhe Ardit Stambolliu, u akuzuan për veprimin penal "Mashtrim kompjuterik" dhe u dënuan me nëntë muaj burgim secili. Hetimet filluan pas kallëzimit të Digitalb, pasi shoqëria kallëzoi se subjekte të ndryshme ofronin paketa televizive të platformës pa pasur licencë apo autorizim.
Prokuroria e Tiranës provoi se aktiviteti i tyre ishte kryer me qëllim përfitimin ekonomik përmes shpërndarjes së paligjshme të kanaleve televizive. Të pandehurit kishin instaluar aplikacione në aparatura elektronike që lejonin hapjen dhe shikimin e kanaleve televizive private të platformave si Digitalb, Tring dhe të tjera pako ndërkombëtare, pa pasur licensë apo leje nga operatorët e ligjshëm që zotërojnë të drejtat mbi këto transmetime.
Kjo sjellje përbën ndërhyrje në funksionimin e sistemeve kompjuterike dhe rrjeteve të transmetimit të dhënave, pasi të dhënat që lejohen vetëm për përdorues të licensuar janë siguruar dhe shpërndarë në mënyrë të paligjshme, duke i paraqitur si të dhëna të aksesueshme nga përdorues të paautorizuar, përmes mashtrimit kompjuterik.