Aksident horror në Bullgari/ Përplasen mbi 50 automjete në autostradë, të paktën 10 viktima dhe 50 të plagosur
Një aksident i rëndë është regjistruar në juglindje të Bullgarisë, ku rreth 50 automjete kanë qenë përfshirë në një përplasje masive në autostradën Trakia.

Një aksident i rëndë me pasoja tragjike është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në juglindje të Bullgarisë, ku rreth 50 automjete, mes tyre kamionë dhe autobusë, janë përfshirë në një përplasje masive në autostradën Trakia. Sipas mediave të huaja, të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa 50 të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spitalet rajonale. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë mjegulla e dendur, e cila ka vështirësuar ndjeshëm shikueshmërinë në rrugë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, të cilat vijojnë operacionet e shpëtimit. Disa persona raportohet se kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të dëmtuara. Autoritetet kanë bërë të ditur se pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit do të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.