Deputeti i PD-së kritikon menaxhimin e zjarrit në Elbasan: "Fiknin zjarrin sikur po ujisnin lulishten"
Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çela, ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të zjarrit në një pallat në Elbasan, ku dy persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Zjarri në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe dhjetë të tjerë u plagosën, është bërë pjesë e diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes. Deputeti i opozitës, Isuf Çela, ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të situatës, duke e krahasuar ndërhyrjen për shuarjen e flakëve me përdorimin e automjeteve të policisë që hedhin ujë me presion gjatë protestave. Sipas Çelës, ndërsa në Elbasan zjarri shuhej me një zorrë uji, në protesta përdoren automjete që hedhin ujë në distanca deri në 200-300 metra. Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka pranuar se në momentet e para të ndërhyrjes kishte pasur vështirësi dhe mungesë përvoje për menaxhimin e një ngjarjeje të tillë, e cila solli pasoja të rënda. Ai ka përmendur edhe panikun që shkakton zjarri, jo vetëm te qytetarët, por në momente të caktuara edhe te strukturat operacionale. Megjithatë, Çako ka theksuar se ishin angazhuar të gjitha kapacitetet, përfshirë autoshkallët nga Tirana dhe Elbasani, ndërsa njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura dhe strukturat e mbrojtjes nga zjarri kishin operuar gjatë gjithë natës.