VIDEO/ Shpërthimi i një çante me eksploziv në Spanjë, një efektiv i Policisë Kombëtare humb jetën dhe një tjetër është i plagosur rëndë
Një efektiv i Policisë Kombëtare në Spanjë ka humbur jetën dhe një tjetër është i plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin e Oviedos.

Një efektiv i Policisë Kombëtare në Spanjë ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin e Oviedos, në veri të vendit. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të marte, kur policia ishte thirrur për të ndërhyrë pas një konflikti të dhunshëm mes dy familjeve. Gjatë përplasjes, një grua e re ishte qëlluar me armë zjarri nga një burrë, por sipas autoriteteve, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët zbuluan një çantë shpine në hyrje të një pallati, brenda së cilës ndodhej një pajisje eksplozive. Sipas sindikatës së policisë JUPOL, shpërthimi ndodhi në momentin kur efektivët po largonin çantën nga ndërtesa, me qëllim neutralizimin e rrezikut për banorët.
Efektivi që humbi jetën ishte pjesë e njësisë së qenve të Policisë Kombëtare, ndërsa polici tjetër i plagosur i përkiste njësisë për çaktivizimin e eksplozivëve. Ky i fundit ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe, si pasojë e shpërthimit, ka humbur njërën këmbë.
Autoritetet spanjolle po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa konflikti mes dy familjeve dhe vendosja e pajisjes shpërthyese mbeten në qendër të hetimeve.