Ruben Saraiva në Gjykatën e Apelit për vrasjen e Ardian Nikulajt
Gjykata e Apelit ka nisur gjykimin e Ruben Saraivës për vrasjen e Ardian Nikulajt, pasi avokati i tij ka lexuar ankesën dhe apelimin për shfuqizimin e dënimit të shpallur nga Gjykata e Lezhës.

Nën masa të rrepta sigurie, në Gjykatën e Apelit ka nisur gjyqi ndaj Ruben Saraivës për vrasjen e Ardian Nikulajt. Avokati i Saraivës po lexon ankesën dhe apelimin, përmes të cilëve kërkon shfuqizimin e dënimit të shpallur nga Gjykata e Lezhës, ku Saraiva u gjet fajtor për vrasjen e Ardian Nikulajt.
Avokati deklaroi se vendimi nuk ka qenë i rregullt në aspektin procedural, pasi ai nuk ka marrë asnjë akt shkresor në gjuhën e tij amtare. Provat e administruara nuk krijojnë bindjen se Ruben Saraiva është personi i maskuar që qëlloi. Ai argumentoi se Saraiva ka gjuhë amtare portugalishten dhe nuk e njeh gjuhën angleze në mënyrë të mjaftueshme, dhe se marrja e tij si person nën hetim, komunikimi i akuzës dhe kërkesa për gjykim janë kryer vetëm në gjuhën angleze.