Alarm zjarri në avionin Barcelona-Venecia, studenti rrezikon gjobë mbi 2 mijë euro dhe kallëzim penal
Një student spanjoll, i cili po udhëtonte me Ryanair nga Barcelona drejt Venecias, rrezikon gjobë të madhe dhe kallëzim penal pasi u aktivizua alarmi i zjarrit në avion për shkak të përdorimit të cigare elektronike në tualet.

Një moment i panikut ndodhi në bordin e një avioni të kompanisë Ryanair që udhëtonte nga Barcelona drejt Venecias, pasi papritur u aktivizua alarmi i zjarrit. Pas shqetësimit të krijuar mes pasagjerëve, u zbulua se shkak ishte një student spanjoll, i cili ishte mbyllur në tualet për të përdorur cigaren elektronike. Tashmë ai rrezikon një gjobë të madhe, procedim penal dhe përjashtim nga fluturimet e kompanisë.
Studenti ishte futur në tualetin e avionit për të përdorur cigaren elektronike, duke shpërfillur ndalimin e vendosur qartë në derën e ambienteve sanitare. Por tymi i krijuar në hapësirën e vogël u kap nga detektorët dhe aktivizoi alarmin e zjarrit në të gjithë avionin. Sirena shkaktoi shqetësim dhe panik mes dhjetëra pasagjerëve. Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të identifikonte burimin e alarmit brenda pak sekondash dhe u konstatua se nuk kishte zjarr, defekt teknik apo rrezik për jetën e udhëtarëve.
Studenti tentoi të mohonte veprimin e tij, por komandanti kërkoi ndërhyrjen e policisë sapo avioni u ul normalisht në aeroportin Marco Polo të Venecias. I riu u shoqërua në ambientet e Policisë Kufitare, ndërsa tashmë përballet me pasoja të mundshme ligjore. Studenti në fluturimin Barcelona-Venecia rrezikon një gjobë prej më shumë se 2 mijë eurosh, kallëzim në prokurori, përfshirë edhe atë për të miturin nëse është nën moshën 18 vjeç, si dhe ndalimin e ardhshëm të udhëtimit me Ryanair.