Avionët amerikanë largohen edhe nga Mildenhall, dyshime për kërcënime sigurie
Avionët amerikanë furnizues janë larguar nga bazat ajrore britanike në Angli, pasi u zhvendosën edhe nga Fairford dhe Mildenhall, duke ngrirë dyshime për kërcënime sigurie.

Gjatë disa javëve, pas incidentit në bazën Fairford në Angli, ku avionët e rëndë strategjik të përfshirë në fushatën ajrore amerikane në Iran u zhvendosën drejt Shteteve të Bashkuara, avionët furnizues amerikanë janë larguar edhe nga një tjetër bazë ajrore britanike, ajo e Mildenhall-it, në juglindje të Anglisë. Sipas të dhënave, ata janë dislokuar në Gjermani.
Gjurmimet e fluturimeve dhe pamjet filmike tregojnë se 9 deri në 10 avionë furnizues në ajër të avionëve luftarakë janë zhvendosur, shumica në Gjermani, në Spanjë dhe një pjesë në një bazë tjetër ajrore në veri të Anglisë, më saktësisht në afërsi të Glasgout, në Skoci. Tre avionë me aftësi ngritjeje vertikale janë zhvendosur drejt një baze tjetër britanike në jugperëndim të Anglisë.
Dukshëm, kjo sugjeron se kërcënimi i pretenduar ka pasur të bëjë specifikisht me bazën ajrore Mildenhall, ku ishte stacionuar kjo flotë avionësh furnizues amerikanë. Një zhvillim i tillë, pa mëdyshje, do të ushtrojë presion edhe më të madh ndaj qeverisë britanike, pasi, në rastin e incidentit të sigurisë në bazën Fairford rreth një muaj më parë, ku u zhvendosën bombarduesit e rëndë strategjikë amerikanë drejt Shteteve të Bashkuara, kryeministri britanik Andy Burnham u shpreh qartazi se kishim të bënim me një komplot nga Garda Revolucionare Islamike në Iran.
Rasti i fundit ngre pikëpyetje mbi aftësinë e Britanisë për të garantuar sigurinë e personelit dhe pajisjeve të ushtrisë amerikane të dislokuara në tokën britanike, edhe pse, falë zbulimit dhe inteligjencës britanike, asnjë dëm nuk është shkaktuar deri më tani. Edhe pse ka shumë hipoteza për arsyet e vërteta të këtij zhvillimi, pritet që pala amerikane të konfirmojë konkretisht se cilat kanë qenë kërcënimet që kanë çuar në një operacion të tillë zhvendosjeje.