Irani zbulon "qytetin e raketave" nëntokësor
Irani ka zbuluar një kompleks të madh ushtarak nëntokësor, të cilin e cilëson si një “qytet raketash”, duke publikuar pamje nga brendësia e tij, ku shfaqen raketa balistike, raketa lundrimi dhe sisteme të ndryshme lëshimi.

Irani ka zbuluar një tjetër kompleks të madh ushtarak nëntokësor, të cilin e cilëson si një “qytet raketash”, duke publikuar pamje nga brendësia e tij, ku shfaqen raketa balistike, raketa lundrimi dhe sisteme të ndryshme lëshimi. Objekti është ndërtuar thellë brenda një vargmali, ndërsa vendndodhja e tij e saktë nuk është bërë publike nga autoritetet iraniane.
Në pamjet e transmetuara nga mediat shtetërore shihen drejtues të lartë ushtarakë iranianë duke inspektuar ambientet e kompleksit, ku janë vendosur lloje të ndryshme armatimesh. Në vizitë morën pjesë Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Ali Abdollahi, dhe komandanti i Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Majid Mousavi.
Zbulimi i objektit u bë publik më 7 nëntor nga zëdhënësi i Gardës Revolucionare, gjeneral brigade Hossein Mohebbi, në kuadër të Javës së Forcave Hapësinore. Sipas tij, Irani ka përshpejtuar zhvendosjen e linjave të prodhimit të raketave dhe dronëve nga objektet sipërfaqësore drejt komplekseve të ndërtuara nën tokë.
Mohebbi theksoi se këto struktura nuk shërbejnë më vetëm për magazinimin e armëve, por përfshijnë edhe linja të mirëfillta prodhimi. Në këtë mënyrë, Teherani synon të krijojë komplekse të mëdha industriale ushtarake nën tokë, të cilat mund të vazhdojnë aktivitetin edhe në rast të sulmeve ajrore.
Sipas zyrtarit iranian, njohutë teknologjike vendase, shtrirja e madhe gjeografike e vendit dhe mundësia për të përshtatur infrastrukturën prodhuese i japin Iranit kapacitetin për të vijuar prodhimin e armëve edhe në kushte të një fushate të gjerë bombardimesh.
Paralajmërimi i Iranit për Shtetet e Bashkuara Paralelisht me publikimin e pamjeve, kryetari i parlamentit iranian dhe kryenegociatori i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara.
Ai deklaroi se çdo gabim në llogaritjet e Uashingtonit do të pasohet nga një reagim i menjëhershëm i Teheranit. “Mos bëni gabime në llogaritjet tuaja. Nëse bëni një gabim, Irani nuk do të hezitojë të ndërmarrë një veprim mbrojtës të shpejtë dhe të papritur. Këtë herë, forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të jenë ato që do të përcaktojnë gjeografinë e konfliktit”, deklaroi Ghalibaf, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim.
Ai e cilësoi inaugurimin e kompleksit të ri si një mesazh për kundërshtarët e Iranit, duke theksuar se vendi nuk do të heqë dorë nga forcimi i kapaciteteve të tij mbrojtëse, pavarësisht presionit ushtarak.
Pse Irani po i zhvendos armët nën tokë? Publikimi i këtyre pamjeve vjen në një periudhë kur Teherani po përpiqet të rikthejë dhe të forcojë kapacitetet e tij raketore, pas dëmeve të shkaktuara në objektet ushtarake gjatë përplasjeve me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.
Zhvendosja e infrastrukturës ushtarake nëntokësore konsiderohet një element i rëndësishëm i strategjisë iraniane për të mbrojtur arsenalin e raketave dhe kapacitetet e prodhimit nga sulmet ajrore.
Megjithatë, këto struktura nuk janë plotësisht të paprekshme. Sulmet e mëparshme kanë shkaktuar dëme në hyrjet e tuneleve dhe në infrastrukturën që mundëson aksesin në komplekse, duke kufizuar funksionimin e disa prej tyre.
Përmes publikimit të imazheve të reja, Irani synon të tregojë se vijon të zotërojë kapacitete të rëndësishme ushtarake dhe se është në gjendje të ruajë, rindërtojë dhe zhvillojë arsenalin e tij raketor, pavarësisht sulmeve dhe presionit ndërkombëtar.