Kush është Mikhail Bogachek, i nominuar për ambasador në Kosovë nga Trumpi?
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nominuar Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë.

Mikhail Bogachek është një profesionist i diplomacisë dhe një ekspert në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional. Ai aktualisht është drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative.
Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional. Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.
Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri. Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit. Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.
Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat. Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.