Zef Preldakaj, shtetas me rrezikshmëri të lartë, arrestuar në Greqi dhe akuzuar për dy vrasje në Shqipëri
Zef Preldakaj, një shtetas 44-vjeçar, është arrestuar në Greqi dhe akuzuar për dy vrasje në Shqipëri. Ai është i dënuar në Shqipëri me 22 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër dhe akuzohet edhe për vrasjen e dy shtetasve në Korinth të Greqisë.

Zef Preldakaj, një shtetas 44-vjeçar, është arrestuar në Greqi dhe akuzuar për dy vrasje në Shqipëri. Ai është i dënuar në Shqipëri me 22 vjet burgim për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër dhe akuzohet edhe për vrasjen e dy shtetasve në Korinth të Greqisë.
Identifikimi i tij u bë falë ekspertimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore. Ai përdorte identitetin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen.
Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”. Në vitin 2002, 44-vjeçari dhe shtetasit shqiptarë të arrestuar, A. N. dhe B. D., kanë shkuar në subjektin e shtetasve S. V. dhe S. V., vëllezër, me qëllim grabitjen e xhiros ditore. Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën shtetasit B. D., shtetasi A. N. ka qëlluar me armë në drejtim të të dy vëllezërve, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.
Në vitin 2020, ky shtetas është akuzuar nga autoritetet greke në Korinth për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën në një automjet. Gjithashtu, ai rezulton me precedentë penalë në Greqi për grabitje me armë dhe shkelje të ligjit për armët, në vitin 2014; shkelje të ligjit për rregullimin e tregut të lojërave të fatit, në vitin 2013; si dhe posedim të lëndëve narkotike, në vitin 2005.
Identifikimi i këtij shtetasi dhe individualizimi i akuzave ndaj tij u bënë si rezultat i ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike, të kryer nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për të dokumentuar plotësisht përfshirjen e këtij shtetasi në veprimtari kriminale, si dhe për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin e tij në Shqipëri.