Kërcënime me bomba në shkollat italiane, Meloni: Nuk do të lejojmë që një email anonim të frikësojë fëmijët tanë
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar kundër kërcënimeve me bombë që shkaktuan evakuimin e qindra shkollave në Itali. Ajo deklaroi se këto kërcënime synojnë të përhapin frikë dhe kaos, por se autoritetet po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka reaguar pas kërcënimeve me bombë që shkaktuan evakuimin e qindra shkollave në Itali. Ajo deklaroi se mesazhet synojnë të përhapin frikë dhe kaos, duke siguruar se autoritetet po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.
Përmes një videomesazhi, Meloni u përpoq të qetësojë qytetarët, duke theksuar se këto kërcënime nuk kanë për qëllim të shkaktojnë dëme fizike, por të krijojnë panik në shoqëri.
“Nuk ka kërcënime të vërteta dhe këto mesazhe nuk përdoren për të lënduar, por për të trembur. Ato duan të shkaktojnë frikë, kaos, për të na humbur ditët”, deklaroi kryeministrja italiane.
Meloni bëri të ditur se sistemi italian i drejtësisë, në bashkëpunim me vende të tjera evropiane, po punon për të zbuluar autorët e këtyre kërcënimeve.
Ajo paralajmëroi se mesazhe të tilla mund të përsëriten, por kjo, sipas saj, nuk duhet të interpretohet si dështim i institucioneve.
“Mesazhe të tilla mund të dërgohen përsëri. Kjo nuk do të thotë se diçka nuk ka funksionuar, do të jetë provë se kushdo që i dërgon ato nuk ka asgjë tjetër. Dhe do të na gjejnë të gatshëm”, u shpreh Meloni.
Kryeministrja u zotua se Italia do të vazhdojë të mbajë një nivel të lartë gatishmërie, por theksoi se kërcënimet anonime nuk do të diktojnë funksionimin e institucioneve arsimore.
“Nuk do të lejojmë që një email anonim të përcaktojë kalendarin e fëmijëve”, deklaroi ajo.
Meloni njoftoi gjithashtu se të nesërmen do të zhvillojë një takim me liderët e partive opozitare për të diskutuar situatën.
“Kushdo që i bëri të gjitha këta, donte një vend të bllokuar dhe të frikësuar. Nesër do të shohin një vend që zgjohet, shoqëron fëmijët e tij në shkollë dhe shkon në punë. Kjo është përgjigjja më e mirë dhe më e fortë që mund të japim”, përfundoi kryeministrja italiane.