Bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë përfundojnë në Abu Dabi, pa rezultat të qartë
Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dabi kanë përfunduar pa të dhëna të qarta mbi rezultatin e tyre. Asnjëra palë nuk ka konfirmuar përparim në negociatat.

Bisedimet dyditore mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara në Abu Dabi me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, përfunduan sot pas një takimi që zgjati më pak se dy orë, dhe pa të dhëna të qarta mbi rezultatin e tyre. Asnjëra palë nuk ka konfirmuar nëse në këto negociata u arrit ndonjë përparim. Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas që nga shkurti dhe pjesë e përpjekjeve të reja të administratës amerikane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Paralelisht, po në Abu Dabi u zhvilluan edhe konsultime me përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilat ishin të ndara nga bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë. Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qe shprehur se Moska ka ngritur pretendime që ka tashmë në duart e saj edhe gjysmën e territorit të Donbasit që aktualisht kontrollohet nga Ukraina. “Rusët thonë se tashmë kanë pushtuar gjysmën e Donbasit që ende kontrollohet nga ne. Ekipi ynë iu përgjigj: ‘Nuk e dimë se nga dilni me pretendime të tilla. Kemi pamje filmike, fotografi dhe dëshmi të tjera që tregojnë se këto territore janë ende nën kontrollin tonë’”, u shpreh Zelensky. Mospërputhjen mes pretendimeve të dyja palëve, ai e përshkroi si një nga pengesat kryesore në negociata, duke shtuar se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, “jeton në një realitet tjetër”. Përpjekjet diplomatike sakaq nuk e ndalën vrullin e sulmeve. Rusia ndërmori goditje të reja sulme me dronë ndaj disa rajoneve të Ukrainës, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën energjetike, ndërtesa banimi, shkolla dhe kopshte fëmijësh.