Odise Dhima, vëllai i Pirro Dhimës, arrestuar në Greqi për doping
Odise Dhima, vëllai i ish-kampionit olimpik Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi për një aktivitet të dyshuar të furnizimit të sportistëve me substanca dopingu. Ai dyshohet se e kishte furnizuar sportistët me preparate të ndaluara për të rritur rezultatet e tyre sportive.

Odise Dhima, vëllai i ish-kampionit olimpik Pirro Dhima, është arrestuar në Greqi për një aktivitet të dyshuar të furnizimit të sportistëve me substanca dopingu. Ai dyshohet se e kishte furnizuar sportistët me preparate të ndaluara për të rritur rezultatet e tyre sportive.
58-vjeçari u vu në prangat e policisë greke pas një hetimi të kryer në bashkëpunim me Organizatën Helenike Antidoping dhe Organizatën Kombëtare të Barnave. Sipas autoriteteve, ai dyshohet se e kishte furnizuar sportistët me substanca të ndaluara për të rritur artificialisht rezultatet e tyre sportive, aktivitet që dyshohet se e kishte kryer prej vitesh.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij dhe në ambiente sportive në Atikë, policia sekuestroi 871 tableta dhe ampula me substanca të dyshuara si të paligjshme, 15 mijë euro cash, 17 kartela sportistësh, shënime dhe një telefon celular që do t’i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme.
Arrestimi i tij merr një domethënie të veçantë për sportin shqiptar, pasi emri i Odise Dhimës ishte përmendur publikisht edhe katër vite më parë, në një prej rasteve më të bujshme të dopingut në peshëngritjen shqiptare. Pas çështjes së Evangjeli Velit, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, drejtoi gishtin nga Odise Dhima, duke e konsideruar peshëngritësen shqiptare, e cila jetonte dhe stërvitej prej vitesh në Greqi, viktimë të veprimtarisë së tij të dyshuar.
Akuzat shkaktuan një reagim të ashpër nga Pirro Dhima. Në një intervistë për Top Channel, ish-kampioni olimpik, në atë kohë zëvendëspresident i Federatës Botërore të Peshëngritjes, i hodhi poshtë deklaratat e Gjozës dhe paralajmëroi se do ta çonte atë në gjyq, së bashku me të vëllanë, për shpifje. Ai deklaroi se do ta ndiqte çështjen edhe në institucionet ndërkombëtare të peshëngritjes dhe antidopingut.