Parlamenti Europian publikon studimin mbi hapat e Shqipërisë drejt integrimit në BE
Parlamenti Europian ka publikuar një studim mbi ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Studimi vlerëson arritjet e Shqipërisë në reformën në drejtësi dhe përafrimin me politikat europiane, por edhe sfidat që mbeten në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shqipëria konsiderohet një nga dy vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian, por përshpejtimi i negociatave me Bashkimin Europian nuk është shoqëruar ende me zgjidhjen e të gjitha problematikave strukturore.
Në një studim analitik të Parlamentit Europian, që shqyrton ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE, evidentohen arritjet e vendit në reformën në drejtësi dhe përafrimin me politikat europiane, por edhe sfidat që mbeten në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Shqipëria hapi negociatat për anëtarësim në korrik 2022 dhe, gjatë viteve 2024-2025, arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt negociues. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte përmbushja e kritereve të ndërmjetme për Grupkapitullin 1, “Themeloret”, në maj 2026, duke i hapur rrugë përcaktimit të kritereve për mbylljen e kapitujve.
Reforma në drejtësi dhe SPAK janë ndër arritjet kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit. Reforma në drejtësi e vitit 2016, e cila përfshiu procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, është vlerësuar nga institucionet europiane si dëshmi e vullnetit politik për të adresuar problematikat strukturore të sistemit të drejtësisë.
Në dokument theksohet gjithashtu roli i SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta dhe të personave të ekspozuar politikisht. Progresi i këtyre institucioneve dhe pavarësia e SPAK vlerësohen si zhvillime pozitive.
Megjithatë, Bashkimi Europian kërkon konsolidimin e rezultateve, veçanërisht sa i përket dënimeve përfundimtare në çështjet e profilit të lartë. Shqetësime mbeten edhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe ndikimi i mundshëm politik mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.
Shqipëria vlerësohet për angazhimin e vazhdueshëm politik drejt integrimit europian dhe për ritmin e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Vendin e intereson të përfundojë negociatat teknike deri në fund të vitit 2027, një objektiv ambicioz që do të kërkojë vijimësi në reformat e ndërmarra dhe rezultate konkrete në zbatimin e tyre.
Në aspektin e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet dhe masat kufizuese të vendosura ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Anëtarësimi në NATO dhe orientimi i qëndrueshëm euroatlantik konsiderohen elementë që forcojnë besueshmërinë e Shqipërisë si partner strategjik i BE-së.
Mbështetja e lartë e qytetarëve për integrimin europian është një avantazh tjetër. Sipas të dhënave të përmendura në analizë, sondazhet e Balkan Barometer kanë evidentuar vazhdimisht nivele mbështetjeje mbi 80-90 për qind për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Megjithatë, dokumenti nënvizon se mbështetja e lartë për BE-në nuk përjashton pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me qeverisjen, transparencën dhe cilësinë e demokracisë. Në këtë kontekst përmenden edhe protestat e qershorit 2026 në Tiranë kundër një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Ato nisën për shkak të shqetësimeve mbi transparencën, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës publike, por më pas morën një dimension më të gjerë, duke u shndërruar në protesta për qeverisjen e mirë dhe respektimin e parimeve demokratike.
Sa i përket përfitimeve ekonomike nga integrimi, Shqipëria ka avancuar në afrimin me tregun europian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, bashkëpunimit rajonal dhe pjesëmarrjes në programe të ndryshme të BE-së. Një zhvillim i rëndësishëm është pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila synon të ulë kostot dhe të lehtësojë transfertat ndërkufitare në euro për qytetarët dhe bizneset.
Gjithashtu, Shqipëria përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili lidh mbështetjen financiare të BE-së me realizimin e reformave konkrete. Sipas të dhënave të paraqitura në analizë, vendi ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara, ndërsa ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga një fond potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.