Trump, Putin dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë për armët bërthamore në një takim trepalësh
Presidenti amerikan Donald Trump, lideri kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë një takim trepalësh në kuadër të samitit të APEC në Kinë. Çështja kryesore në tryezë do të jetë reduktimi i armëve bërthamore dhe situata në Iran.

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë një takim të përbashkët me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin në kuadër të samitit të APEC në Kinë. Lajmi është konfirmuar të premten nga Shtëpia e Bardhë, e cila bëri të ditur se bëhet fjalë për takimin e parë trepalësh të këtij lloji mes liderëve të tri fuqive botërore.
Takimi pritet të zhvillohet në një moment delikat për sigurinë ndërkombëtare, pasi në muajin shkurt skadoi traktati i fundit për kontrollin e armëve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ndërkohë, Kina po zgjeron me ritme të shpejta arsenalin e saj bërthamor, duke shtuar shqetësimet ndërkombëtare për ekuilibrat strategjikë mes fuqive të mëdha.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se nuk pritet që takimi të prodhojë menjëherë një marrëveshje për çështjet bërthamore, por do të shërbejë si pikënisje për negociata të mëtejshme. “Ne nuk presim të arrijmë ndonjë lloj marrëveshjeje. Do ta konsideroja këtë si pikënisjen, bisedën e parë në nivel liderësh mes këtyre vendeve”, deklaroi zyrtari.
Përveç armëve bërthamore, liderët pritet të diskutojnë edhe zhvillimet në Iran, një tjetër çështje me rëndësi për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Nëse realizohet, takimi Trump-Xi-Putin do të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, në një kohë kur marrëdhëniet mes fuqive të mëdha dhe kontrolli i armëve bërthamore mbeten ndër sfidat kryesore të rendit ndërkombëtar.