LIVE/ Asambleja e PS në Lalëz, kryetari Rama ndërpret sinjalin dhe mban fjalim me dyer të mbyllura
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ndërprerë transmetimin për mediat gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në Lalëz. Rama ka kërkuar ndjesë për ndërprerjen e sinjalit dhe ka mbajtur fjalim me dyer të mbyllura, duke mos lejuar kontaktin me jashtë. Kjo ka ndodhur ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit, ka dërguar një letër me titull "Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj" anëtarëve të Asamblesë.

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste po zhvillohet këtë të shtunë në resortin në Gjirin e Lalëzit, ku janë mbledhur ministrat, deputetët dhe drejtuesit e strukturave socialiste. Deputetët dhe ministrat socialistë nisën të mbërrinin në resort që 1 orë para startit. Mes tyre u panë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministrat Toni Gogu, Delina Ibrahimaj dhe Andis Salla, si dhe deputetët Iris Luarasi, Piro Vëngu, Agron Malaj dhe Elisa Spiropali.
Punimet u çelën nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i cili sinjalizoi nisjen e Asamblesë dhe prezantoi fjalën e kryeministrit Edi Rama. Një nga zhvillimet e para të mbledhjes ishte vendimi i Edi Ramës për të ndërprerë transmetimin për mediat. Në nisje të fjalës së tij, kryeministri kërkoi ndjesë për ndërprerjen e sinjalit, duke deklaruar se dëshironte të ndante disa fjalë me “familjen e tij politike”, pa praninë e kamerave.
Gjatë kësaj kohe, telefonat e të pranishmëve janë të fikur dhe komunikimi me anëtarët e Asamblesë brenda sallës është i pamundur. Për rrjedhojë, përmbajtja e plotë e diskutimit të Ramës me socialistët nuk është bërë ende publike. Pas këtij komunikimi me dyer të mbyllura, kryeministri pritet të mbajë edhe fjalimin e tij publik për mediat.
Paralelisht me mbledhjen në Lalëz, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit, u ka dërguar me mesazh anëtarëve të Asamblesë një letër të gjatë me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”. Veliaj kishte kërkuar të merrte pjesë në mbledhje, por nuk u lejua nga autoritetet. Në këto kushte, vendosi të publikojë fjalimin që kishte përgatitur për Asamblenë.