Nëna e Monika Kryemadhit kërkon pafajësi për akuzën e pastrimit të parave dhe konfiskimin e vilës
Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, ka kërkuar pafajësi për akuzën e pastrimit të parave dhe konfiskimin e vilës në Kodrën e Diellit. Avokatet e saj, Flutura Kona dhe Esmeralda Rama, kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Posaçme për origjinën e paligjshme të fondeve të përdorura për blerjen e apartamenteve dhe shlyerjen e kredive bankare.

Fatime Kryemadhi është pensioniste dhe e vetmja pasuri e saj është vila në Kodrën e Diellit. Avokatet e saj kanë kundërshtuar lidhjen që Prokuroria bën mes pasurive dhe çështjes CEZ-DIA, duke iu referuar një mesazhi të datës 22 qershor 2009, ku përmendet shuma “200 mijë”. Sipas mbrojtjes, në mesazh nuk përcaktohet monedha, ndërsa Prokuroria e interpreton shumën si 200 mijë euro. Avokatet argumentojnë se nuk ka prova që kjo shumë është paguar nga Kastriot Ismailaj, është përfituar nga Ilir Meta apo i është kaluar Fatime Kryemadhit.
Një tjetër argument lidhet me kohën e blerjes së apartamenteve në rrugën “Vaso Pasha”, në Tiranë. Mbrojtja thekson se blerjet janë kryer në mars të vitit 2010, përpara themelimit dhe regjistrimit të DIA-s dhe marrëveshjeve të saj me CEZ-in. Në konkluzione trajtohen edhe 138 mijë eurot që Fatime Kryemadhi i ka kaluar vajzës së saj, Monika Kryemadhi, gjatë vitit 2009. Sipas Prokurorisë, këto transferta janë kryer në tri derdhje, përkatësisht 21 mijë, 70 mijë dhe 47 mijë euro.
Mbrojtja kundërshton këtë përllogaritje, duke kërkuar që të verifikohen pagesat reale të qirasë, transfertat bankare dhe burimet financiare të deklaruara. Një tjetër pikë lidhet me kredinë prej 335 mijë eurosh të marrë në mars 2010. Nga kjo kredi, sipas Prokurorisë, janë transferuar 100 mijë euro për apartamentin e Monika Kryemadhit, ndërsa janë tërhequr 200 mijë dhe 34.500 euro. Mbrojtja kundërshton këtë version, duke argumentuar se 200 mijë eurot janë tërhequr nga vetë Fatime Kryemadhi dhe se mandatet bankare të përdorura nga akuza duhet të verifikohen.
Avokatet kanë kundërshtuar edhe ekspertimin financiar të Prokurorisë, duke pretenduar se nuk janë marrë në konsideratë të gjitha dokumentet bankare, kontratat noteriale dhe burimet e të ardhurave të paraqitura nga mbrojtja. Sipas tyre, analiza financiare për Fatime Kryemadhin duhet të përfshinte edhe periudhën përpara vitit 2003. Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes i kushtohet vilës në Kodrën e Diellit, për të cilën Prokuroria ka kërkuar konfiskimin përfundimtar. Sipas konkluzioneve, vila është përfituar përmes një kontrate shkëmbimi me kompaninë AGI KONS, së cilës Fatime Kryemadhi i ka kaluar dy njësi dhe një garazh. Mbrojtja argumenton se nuk është provuar lidhja mes kësaj pasurie dhe fondeve që Prokuroria i konsideron me origjinë kriminale.