Thaçi mund të përballet me dënime të tjera në Hagë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të përballet me dënime të tjera në një proces të veçantë në Dhomat e Specializuara në Hagë, për pengimin e drejtësisë dhe ndikimin në dëshmitarët e Prokurorisë.

Dy muaj pasi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, Thaçi përballet me mundësinë e një dënimi tjetër. Më 17 nëntor, gjykata do të shpallë aktgjykimin në një proces të veçantë, ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë përpjekjet për të ndikuar te dëshmitarët e Prokurorisë. Nëse shpallet fajtor, Thaçit mund t’i shtohen vite burgimi. Nëse lirohet nga akuzat, dënimi i tij i mëparshëm nuk do të ndryshojë automatikisht. Ligjëruesi i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, Mathias Holvoet, thotë se, sipas praktikës së gjykatave penale ndërkombëtare, dënimet për pengim të drejtësisë zakonisht u shtohen atyre për krime ndërkombëtare. Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, nëse shpallet fajtor. Nëse gjykata ndjek kërkesën e Prokurorisë, Thaçi mund të përballet me dy dënime që, së bashku, arrijnë në 31 vjet burgim. Megjithatë, një rezultat i tillë nuk është i paracaktuar. Gjykata duhet së pari të vendosë nëse akuzat janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe, në rast të një vendimi fajësie, të përcaktojë masën e dënimit.