SHBA nën alarm për sulm me bombë radioaktive nga Iran
Shtetet e Bashkuara janë nën alarm për një sulm të mundshëm me bombë radioaktive nga Iran, sipas informacioneve të inteligjencës amerikane. Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar informacione që sugjerojnë se Irani po shqyrton mundësinë e organizimit të një sulmi në territorin amerikan, duke përdorur një bombë të ashtuquajtur “të pistë” (radioaktive) ose armë kimike.

Sipas shtatë zyrtarëve amerikanë, objektiv i mundshëm i këtyre planeve mund të jenë zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump në Uashington. Megjithatë, burimet e cituara nga CNN theksojnë se deri më tani bëhet fjalë për plane dhe skenarë të mundshëm, jo për një sulm të afërt.
Sipas tyre, shqetësimi kryesor nuk lidhet domosdoshmërisht me një rritje të kapaciteteve të Iranit për të kryer një sulm të tillë, por me ndryshimin e mundshëm të motivimit të Teheranit për ta ndërmarrë atë. Autoritetet amerikane ende po vlerësojnë nëse Irani ka kapacitetet dhe njerëzit e nevojshëm për ta realizuar një operacion të tillë.
Bomba e ashtuquajtur “e pistë” nuk është e njëjtë me një bombë bërthamore. Ajo kombinon një eksploziv konvencional me materiale radioaktive, të cilat shpërndahen në mjedis pas shpërthimit. Ekspertët vlerësojnë se dëmet kryesore mund të vijnë nga shpërthimi, ndërsa rreziku radioaktiv mund të shkaktojë ndotje të zonave të prekura dhe pasoja afatgjata për shëndetin.
Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se udhëheqja iraniane është e vetëdijshme për pasojat e rënda që do të sillte një sulm i tillë dhe për reagimin e mundshëm të SHBA-së. Sipas një prej burimeve, rreziku mund të rritet nëse udhëheqësit iranianë arrijnë në përfundimin se mbijetesa e regjimit të tyre është në rrezik dhe se një përshkallëzim i mëtejshëm ia vlen të ndërmerret.