Sekuestrohet pasuria e Ilir Shehut, akuzuar për kontrabandë ilaçesh dhe trafik droge
Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e shtetasit Ilir Shehu, i cili është akuzuar për kontrabandë ilaçesh dhe trafik droge. Hetimet tregojnë se Shehu ka krijuar një pasuri të pajustifikuar ekonomikisht përmes aktivitetit kriminal.

Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e shtetasit Ilir Shehu, i cili është akuzuar për kontrabandë ilaçesh dhe trafik droge. Hetimet tregojnë se Shehu ka krijuar një pasuri të pajustifikuar ekonomikisht përmes aktivitetit kriminal.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, Shehu dyshohet se ka krijuar një pasuri të pajustifikuar ekonomikisht, përmes aktivitetit kriminal. Në fokus të hetimit pasuror nr. 23 është edhe një skemë e dyshuar e kontrabandës së produkteve farmaceutike, përmes manipulimit të dokumentacionit doganor mes Italisë dhe Shqipërisë.
Nga hetimet rezulton se ilaçet bliheshin në Itali me fatura të rregullta, ku deklaroheshin më shumë se 10 artikuj farmaceutikë. Në momentin e eksportit, dokumentacioni paraqitej me vlerën dhe peshën reale në doganën italiane. Ndërsa në doganën shqiptare, sipas skemës së dyshuar, lista e produkteve shkurtohej dhe deklaroheshin vetëm katër ose pesë artikuj, duke lënë pjesën tjetër jashtë dokumentacionit doganor.
Një pjesë e barnave dyshohet se futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt, ndërsa më pas legalizohej përmes një operatori tjetër, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
Në dosjen e hetimit evidentohet gjithashtu se shtetasi Ilir Shehu ka krijuar dy godina biznesi në Tiranë me kapital të krijuar pas dënimit në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Prokuroria ka analizuar edhe të dhënat mbi të kaluarën e tij kriminale, duke evidentuar dënime për veprat penale “Përfitim i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrje” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Në kuadër të masës së sekuestrimit janë përfshirë tetë pasuri të paluajtshme në emër të Ilir Shehut, një pronë në emër të ‘Mega Store’, gjashtë prona në emër të H.Sh., si dhe tetë automjete.
Kërkesa për sekuestrim përfshin edhe subjektet tregtare ‘Medicamenta’ shpk, ‘Mega Store’ shpk, ‘Unipharma’ shpk dhe ‘Italialbania Pharma’ shpk, si dhe subjekte të tjera të lidhura me shtetasin nën hetim.
Procedimi pasuror është regjistruar pas akteve të përcjella nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, lidhur me dyshimet se Shehu dhe personat e lidhur me të zotërojnë pasuri të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Prokuroria e Tiranës po verifikon burimin e krijimit të pasurive dhe lidhjen e tyre të mundshme me aktivitetin kriminal. Hetimet synojnë të dokumentojnë marrëdhëniet financiare dhe pasurore mes shtetasit nën hetim dhe subjekteve tregtare të përfshira.