FIFA kërkon një shifër rekord për të drejtat televizive të Botërorit 2030
FIFA kërkon të përfitojë nga suksesi i Botërorit 2026 duke shitur të drejtat televizive të Kupës së Botës 2030 në tregun amerikan për një shifër rekord.

FIFA përgatitet të vendosë një rekord të ri financiar me shitjen e të drejtave televizive të Kupës së Botës 2030 në tregun amerikan. Vlerësimet paraprake flasin për një marrëveshje që mund të arrijë nga 1.5 deri në 2 miliardë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm të ardhurat e siguruara nga edicioni i vitit 2026.
Në garën për transmetimin e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit pritet të përfshihen emra të mëdhenj të industrisë, si Netflix, Apple TV, Amazon, Disney, YouTube dhe DAZN, por edhe operatorët tradicionalë Fox, ESPN, NBC Universal dhe Paramount Skydance. Vëmendjen më të madhe e tërheq Netflix, i cili synon të zgjerojë praninë në transmetimet sportive.
Për Botërorin 2026, FIFA siguroi rreth 1 miliard dollarë nga tregu amerikan, përmes marrëveshjeve me Fox për transmetimet në gjuhën angleze dhe Telemundo të NBC Universal për ato në spanjisht. Këtë herë, megjithatë, organizata ndërkombëtare ka ndryshuar strategjinë: për herë të parë, të drejtat në të dyja gjuhët do të ofrohen së bashku, duke hapur rrugën për një marrëveshje të vetme ekskluzive.
Interesi i madh lidhet edhe me suksesin televiziv të Botërorit të fundit, i cili theu rekorde shikueshmërie në SHBA. FIFA synon të shfrytëzojë këtë moment, duke nisur procesin e shitjes së të drejtave vetëm katër muaj pas përfundimit të turneut të vitit 2026.
Një tjetër element interesant është se Botërori 2030 do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok, çka nënkupton orare jo gjithmonë të favorshme për audiencën amerikane. Megjithatë, kjo nuk duket se e ka zbehur interesin e transmetuesve. Ndërkohë, Netflix ka siguruar edhe të drejtat për transmetimin e Botërorit 2030 në Spanjë. Në bazë të rregullave vendase, platforma duhet të garantojë transmetimin falas të ndeshjeve të kombëtares spanjolle, gjysmëfinaleve, finales dhe të paktën një ndeshjeje në ditë.