Aksion i gjerë në Kosovë, 155 vajza nga Shqipëria identifikohen në lokalet me muzikë live, mbyllen 15 biznese dhe arrestohen 8 persona
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në të gjithë territorin e vendit për të luftuar prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Gjatë operacionit, 155 vajza nga Shqipëria u identifikuan në lokalet me muzikë live, ndërsa 15 biznese u mbyllën për shkelje administrative. 8 persona u arrestuan për aktivitetin e eskortës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të gjerë në të gjithë territorin e vendit për të luftuar prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Operacioni, i koduar “Vjeshta 2026”, u zhvillua nga 3 deri më 17 nëntor dhe u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore.
Gjatë operacionit, kontrollet u kryen në 40 lokale me muzikë live, ku u identifikuan gjithsej 285 persona, 223 femra dhe 62 meshkuj. Prej tyre, 117 ishin shtetas të Kosovës dhe 168 shtetas të huaj. Në mesin e shtetaseve të huaja, 155 ishin nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tre nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Për shkak të shkeljeve administrative, tetë lokale me muzikë live u mbyllën nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Aksioni u shtri edhe në 62 qendra masazhi në të gjithë Kosovën, ku u identifikuan 120 persona, mes tyre 94 femra dhe 26 meshkuj. Nga personat e identifikuar, 73 ishin shtetas të Kosovës dhe 47 të huaj. Në këtë kategori u evidentuan 19 shtetase nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Pas inspektimeve, shtatë qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative. Në total, numri i bizneseve të mbyllura gjatë operacionit arriti në 15. Gjatë operacionit u evidentuan edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës.
Në këto raste u arrestuan tetë persona: katër meshkuj, tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër femra, një shtetase e Brazilit dhe tri të Kolumbisë. Për rastet e konstatuara u dorëzuan fletëparaqitje në gjykatë dhe u shqiptuan gjoba. Gjithashtu, ndaj shtetaseve të huaja u vendosën masa dëbimi nga Kosova dhe ndalim hyrjeje në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve grave të identifikuara në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe aktivitetin e eskortës iu dha mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të shfrytëzimit apo trafikimit të qenieve njerëzore. Megjithatë, sipas autoriteteve, gjatë këtij operacioni nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.