Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj për evazion fiskal
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e akuzuar për fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal mbi 6 milionë lekë.

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen Xhensila Myrtezaj, e akuzuar për veprën penale "Fshehje e të ardhurave" konsumuar më shumë se një herë. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore përmes deklarimit të paplotë të të ardhurave dhe transaksioneve financiare me burime të pajustifikuara.
Nga ekspertimi kontabël rezulton se për vitin 2023 janë shmangur 2.417.311 lekë detyrime tatimore, ndërsa për vitin 2024 shuma arrin në 3.658.210 lekë. Në total, evazioni fiskal i konstatuar për të dy vitet kap vlerën prej 6.075.521 lekësh të reja.
Gjatë hetimeve, Xhensila Myrtezaj ka pretenduar se të ardhurat vinin nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por dokumentacioni i paraqitur prej saj i justifikonte ato vetëm pjesërisht. Prokuroria e akuzon për veprën penale "Fshehje e të ardhurave", të kryer më shumë se një herë, sipas nenit 180/1 të Kodit Penal.