Parashikohet mot i paqëndrueshëm me reshje shiu në disa zona
Moti në Shqipëri pritet të jetë i paqëndrueshëm ditën e diel, me reshje shiu dhe valëzime në det.

Ditën e diel, Shqipëria pritet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme, sipas Shërbimit Ushtarak Meteorologjik. Moti parashikohet me alternime vranësirash, të cilat pritet të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit deri në orët e mesditës.
Gradualisht gjatë pasdites, reshjet e shiut pritet të fitojnë intensitet, dhe në veri e qendër, herë-herës reshjet pritet në formën e shtrëngatave me shkarkesa elektrike. Era me drejtim juglindje – jugperëndim do të ketë shpejtësi mesatare 9m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe lugina era do të fitojë shpejtësi deri në 17m/s. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 3-4 ballë.