Rrjeti i Epstein në Rusi: Vajza nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe Oligarkët
Hetimi i Reuters zbulon rrjetin e kontakteve të financierit amerikan Jeffrey Epstein në Rusi, duke përfshirë vajza nga ish-republikat sovjetike dhe oligarkët.

Një hetim i gjerë i agjencisë së lajmeve Reuters ka zbuluar rrjetin e kontakteve që financieri amerikan Jeffrey Epstein kishte ndërtuar në Rusi për dekada të tëra. Hetimi, i mbështetur në intervista me më shumë se 24 persona dhe shqyrtimin e qindra dokumenteve gjyqësore, emaileve dhe të dhënave të fluturimeve, identifikon të paktën 17 gra nga ish-vendet sovjetike që përfunduan në rrjetin e shfrytëzimit seksual të Epstein.
Megjithatë, Reuters thekson se nuk ka prova që Epstein të ketë punuar për shërbimet sekrete ruse, të ketë vepruar në emër të Moskës apo të ketë arritur të takohej personalisht me Vladimir Putinin. Marrëdhëniet e Epstein me Rusinë nisën në fillim të viteve 1990, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur agjencitë e modelimit nisën të kërkonin vajza të reja në Evropën Lindore, duke u premtuar karriera ndërkombëtare.
Një nga personat kryesorë në këtë rrjet ishte agjenti francez i modelimit Jean-Luc Brunel, bashkëpunëtor i ngushtë i Epstein, i cili rekrutonte vajza nga Rusia dhe ish-republikat sovjetike. Një ish-modele i tregoi Reuters se gjatë një feste në Paris në vitin 1991 kishte parë një vajzë ruse, e cila dukej në fillimet e adoleshencës, të qëndronte për orë të tëra në prehrin e Epstein. E reja i kishte treguar se Brunel kishte paguar udhëtimin e saj drejt Francës, duke i premtuar se do ta ndihmonte të bëhej modele e famshme.
Në vitin 2003, Brunel themeloi në Miami një agjenci modelimi, e cila më vonë mori emrin MC2 Models Management. Sipas hetimit, kompania rekrutonte gra nga Rusia dhe lehtësonte udhëtimin e tyre drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa Epstein u siguronte apartamente ku ato mund të qëndronin. Një prej tyre ishte Svetlana Pozidaeva, e cila u takua me Epstein në Paris në vitin 2008, kur ishte rreth 23 vjeçe. Ai i premtoi se do ta ndihmonte të siguronte një kontratë me Victoria’s Secret.
Por, sipas pretendimeve të saj, në vend të karrierës së ëndërruar, ajo përfundoi në një marrëdhënie varësie financiare. Viza e saj ishte e lidhur me agjencinë, apartamenti i përkiste Epstein dhe shpenzimet personale regjistroheshin si borxhe ndaj tij. Pozidaeva pretendoi gjithashtu se Epstein e kishte abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur dhe se kishte frikë se lidhjet e tij politike, përfshirë ato në Rusi, mund të përdorejën kundër familjes së saj nëse ajo përpiqej të largohej.
Pas dënimit në vitin 2008 dhe vuajtjes së 13 muajve burg, Epstein nisi të përdorte gjithnjë e më shumë kontaktet e tij në Rusi për të rikthyer ndikimin në qarqet e biznesit dhe elitës ndërkombëtare. Dokumentet e shqyrtuara nga Reuters tregojnë se ai kërkoi të krijonte marrëdhënie me disa prej biznesmenëve më të fuqishëm rusë, përfshirë manjatin e pasurive të paluajtshme Vladislav Doronin dhe miliarderin Oleg Deripaska.
Në vitin 2010, Epstein priti Doroninin për darkë në Nju Jork dhe diskutoi me të një projekt të madh investimi në Moskë. Në të njëjtën periudhë, ai u përpoq të organizonte një takim me Deripaskën përmes një personi të njohur, i cili ishte prezantuar nga politikani britanik Peter Mandelson. Nuk dihet nëse ky takim u zhvillua.
Objektivi i tij më i madh, megjithatë, ishte Vladimir Putin. Në vitin 2011, një bashkëpunëtor i Epstein shkroi në një email se financieri kishte planifikuar të takohej me presidentin rus gjatë një udhëtimi në Rusi. Udhëtimi u anulua dhe persona që e njihnin Epstein i thanë Reuters se nuk besonin se takimi ishte organizuar ndonjëherë.
Në vitin 2014, Epstein u takua në Paris me Sergei Belyakov, asokohe zëvendësministër i Ekonomisë në Rusi dhe organizator i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut. Një vit më vonë, ai organizoi një darkë në Nju Jork, ku Belyakov u prezantua me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak. Pas këtij takimi, Epstein i kërkoi Barakut përmes një emaili që t’i sugjeronte zyrtarit rus organizimin e një takimi me Putinin dhe këshilltarët e tij.
Ai argumentonte se mund t’u ofronte njohuri të vlefshme për tregjet financiare, monedhat dhe sistemin ekonomik ndërkombëtar. Megjithatë, sipas një personi të njohur, nuk dihet nëse ky takim u zhvillua.