Dy shqiptarë të dënuar për vjedhje dhe skllavëri kapen në Shkodër dhe Vorë
Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Njëri prej tyre është dënuar me 7 vite e 11 muaj burg për vjedhje me dhunë dhe vepra të tjera penale, ndërsa tjetri me 4 vite burg për torturë dhe skllavëri.
Policia bën me dije se ndaj të dyve kanë mbetur ende për të vuajtur pjesë të dënimeve dhe se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre. Kapjet e tyre janë rezultat i operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe DVP Tiranë.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, kanë finalizuar 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”. Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi A. D. alias V. D., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim.
Gjatë fazës së dytë u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi B. K., 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit, e ka dënuar me 4 vjet burgim. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve në Itali.