Shqiptari dënuar për trafik droge në Britani përpiqet të shmangë largimin
Një shqiptar i dënuar për trafik droge në Britani po përpiqet të shmangë largimin, duke argumentuar se partnerja e tij ka nevojë për praninë dhe mbështetjen e tij për shkak të problemeve të shëndetit mendor.

Një 37-vjeçar shqiptar i dënuar për trafik droge në Britaninë e Madhe po përpiqet të shmangë largimin drejt Shqipërisë. Eugert Pulaj hyri ilegalisht në Britani në vitin 2019 dhe u dënua me dy vite e katër muaj burg në qershor të vitit 2024 për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.
Pulaj pretendon se partnerja e tij rumune vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka nevojë për praninë dhe mbështetjen e tij. Çifti ka një varësi të fortë emocionale nga njëri-tjetri dhe Pulaj është një mbështetje e rëndësishme për mirëqenien e saj mendore.
Megjithatë, gjykata rrëzoi kërkesën e tij, duke vlerësuar se marrëdhënia e çiftit mund të vazhdonte edhe nëse Pulaj kthehej në Shqipëri. Gjyqtari pranoi se lidhja e tyre ishte e sinqertë dhe se shqiptari i ofronte mbështetje partneres, por theksoi se interesi publik për largimin e tij ishte më i rëndësishëm.
Pas rrëzimit të kërkesës së parë, Pulaj paraqiti një tjetër apel, duke pretenduar se gjykata nuk kishte marrë mjaftueshëm parasysh gjendjen shëndetësore të partneres dhe varësinë e saj emocionale prej tij. Por edhe kjo përpjekje dështoi, dhe gjykatësja Jill Frances vendosi se nuk kishte pasur gabim material ligjor në vendimin e mëparshëm.