Shpërthim i fuqishëm në Zvicër, shqiptari rrëfen tmerrin e ngjarjes
Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një pallati në Menziken, në Zvicër, duke shkaktuar panik dhe një person duke pësuar djegie të konsiderueshme.

Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga një zjarr ka tronditur banorët e një pallati në Menziken, në Zvicër, mbrëmjen e së shtunës. Ngjarja shkaktoi panik mes banorëve, ndërsa një person pësoi djegie të konsiderueshme dhe u transportua me helikopter drejt spitalit.
Sipas dëshmive të banorëve, shpërthimi ndodhi në një garazh individual të një pallati shumëkatësh. Fuqia e tij ishte aq e madhe sa porta e garazhit u shkëput nga vendi, ndërsa më pas shpërtheu zjarri. Një prej personave të parë që mbërriti në vendngjarje ishte 47-vjeçari Viliam, i cili tentoi të shuante flakët me një fikëse zjarri.
Një banore 39-vjeçare tregoi se fillimisht dëgjoi dy shpërthime të fuqishme, të cilat e tmerruan. Ajo doli me panik nga apartamenti pa marrë as xhaketën, ndërsa më vonë iu desh të qëndronte për orë të tëra jashtë banesës, derisa zjarrfikësit i dhanë një batanije.
Dëshmia më tronditëse vjen nga Fadili, 49 vjeç, i cili jeton në katin e tretë të pallatit. Ai tregoi se po kthehej nga një shëtitje rreth orës 18:30, kur dëgjoi një shpërthim të fuqishëm. Pak çaste më vonë, sipas tij, ndodhi edhe një shpërthim tjetër. “Banoja në katin e tretë dhe reja e tymit arrinte deri aty. Më pas dëgjova britma. Tri herë dikush kërkoi ndihmë”, rrëfeu ai.
49-vjeçari tha se skenat i rikthyen kujtimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1990. “U ndjeva sikur isha sërish në atë kohë. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Të gjithë ishin në panik. Britmat dukeshin sikur po dëgjoje dikë në momentet e fundit të jetës”, tregoi ai.
Pak minuta më vonë mbërritën zjarrfikësit dhe ambulanca. Një burrë, i cili kishte pësuar djegie të shumta në trup, mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua me helikopter nga shërbimi i shpëtimit ajror Alpine Air Ambulance drejt spitalit. Policia ka bërë të ditur se shkaku i saktë i shpërthimit dhe i zjarrit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet nga specialistët.