16-vjeçari akuzon Policinë për dhunë dhe gjobë të padrejtë
Një 16-vjeçar ka denoncuar Policinë për dhunë dhe gjobë të padrejtë gjatë një proteste në Tiranë, duke pretenduar se është goditur dhe gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra.

Një 16-vjeçar ka bërë një rrëfim gjatë një proteste në Tiranë, duke pretenduar se është dhunuar nga efektivët e policisë pas shoqërimi në komisariat një natë më parë. Adoleshenti deklaron se është goditur në kokë dhe se ndaj tij është vendosur një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra.
Sipas dëshmisë së tij, ai ndodhej në një lokal pranë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", kur është identifikuar nga një efektiv policie. Pak çaste më vonë, 4-5 persona me rroba civile e kanë nxjerrë me forcë nga lokali dhe e kanë shoqëruar me automjet policie, pavarësisht ndërhyrjes së qytetarëve që ndodheshin aty.
Ai pretendon se sapo është futur në makinë, efektivët kanë nisur ta godasin dhe ta ofendojnë. Sipas tij, goditjet kanë ndaluar vetëm pasi u ka treguar se ishte 16 vjeç. Por shoqërimi në polici nuk ka përfunduar vetëm me këtë episod. Adoleshenti tregon se në komisariat është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra, pasi dyshohet se rreth orës 19:05 kishte hedhur lëndë piroteknike në drejtim të policisë.
I riu e mohon këtë akuzë. Ai pranon se kishte një kapsollë me vete, por këmbëngul se nuk e ka hedhur atë. Madje, pretendon se ekzistojnë edhe pamje filmike të regjistruara nga një qytetar, të cilat mund të provojnë versionin e tij. Sipas tij, policia e ka identifikuar për shkak të tutave të kuqe që mbante veshur.