Moti i keq godet Shkodrën, dëmtime në banesa dhe shkolla, zona pa energji
Reshjet e shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëmtime në disa bashki të Qarkut Shkodër, duke përfshirë Fushë-Arrëz, Shkodër dhe Vau i Dejës, me probleme në rrugët rurale dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të Qarkut Shkodër. Situata më problematike paraqitet në Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime në çatinë e një shkolle 9-vjeçare, në disa banesa dhe në rrugët rurale.
Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, deri në orën 09:00 të datës 23 nëntor 2026, në bashkinë Shkodër erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve. Shërbimet bashkiake kanë ndërhyrë për largimin e tyre. Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike.
Problematikat më të shumta janë regjistruar në bashkinë Fushë-Arrëz. Si pasojë e motit të keq, është dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe disa banesa. Gjithashtu, prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.
Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik. Prefektura e Shkodrës bën me dije se po monitoron situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.