Atentati i Sel Çamit: Zbulohen Detajet e Krimit të Vitit 2002
Selami Hasani, i njohur si "Sel Çami", u ekzekutua në oborrin e banesës së tij në Fier, duke rikthyer në vëmendje konfliktin e tij të hershëm me familjen e Arben Isufajt.

Një ngjarje e rëndë kriminale e regjistruar më 25 mars 2002 në Fier lidhet me emrin e Selami Hasanit, i cili sot u ekzekutua në oborrin e banesës. Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Selami Hasani u shpall fajtor për bashkëpunim në një vrasje të dyfishtë. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur "Sheshi i Valutës", ku një automjet tip fuoristradë Mercedes-Benz, në të cilin ndodheshin Julian Isufi dhe Bledar Kastrati, u qëllua me armë zjarri.
Sipas dosjes gjyqësore, nga të shtënat mbetën të vrarë Julian Isufi dhe Esat Taze, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Sipas konkluzioneve të gjykatave, Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani kishin vepruar në bashkëpunim dhe kishin pasur një marrëveshje paraprake për realizimin e krimit. Ata kishin siguruar mjetet e nevojshme, përfshirë blerjen e automjetit dhe sigurimin e një arme automatike.
Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2002, Selami Hasani qëndroi për disa vite në kërkim. Ai u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, gjatë një operacioni në banesën e tij në lagjen "1 Maji" në Fier. Gjatë kontrollit, sipas raportimeve të kohës, atij iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pistoleta.
Vrasja e tij paraditen e kësaj të hëne rikthen në vëmendje konfliktin e hershëm me familjen e Arben Isufajt, i njohur si "Ben Qimja". Për momentin, pista e hakmarrjes mbetet një prej dyshimeve që po shoqërojnë hetimet, por autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e ekzekutimit dhe as lidhjen e drejtpërdrejtë të tij me ngjarjen e vitit 2002.