Gjermania mbështet KFOR-in dhe miraton zgjatjen e mandatit për ushtarët e saj në Kosovë
Gjermania ka konfirmuar mbështetjen e saj për KFOR-in dhe ka miratuar zgjatjen e mandatit për deri në 400 ushtarë në Kosovë, ndërsa situata e kontigjentit amerikan në Kosovë mbetet e pasigurt.

Gjermania ka konfirmuar se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e KFOR-it, edhe pse nuk sqaroi nëse është diskutuar konkretisht reduktimi i trupave amerikane në Kosovë. Parlamenti gjerman ka miratuar vazhdimin e mandatit të trupave të saj në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri në 400 ushtarëve.
Sipas një burimi, ekziston një plan që numri i ushtarëve amerikanë në Kosovë të reduktohet ndjeshëm, por ky informacion nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe as SHBA-ja apo NATO-ja nuk e kanë konfirmuar publikisht një plan të tillë. Rishikimi vjen pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit për riorganizimin e pranisë amerikane në Evropë.
NATO-ja ka paralajmëruar përshtatjen graduale të pranisë së saj në Kosovë, me synimin për t’u kthyer në nivelet e para vitit 2023, kur u shtuan përforcimet pas tensioneve në veri dhe sulmit në Banjskë. Aktualisht, në kuadër të KFOR-it shërbejnë mbi 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere, ndërsa reduktimi do të varet nga vlerësimet e sigurisë dhe mund të pezullohet nëse situata në terren përkeqësohet. Pavarësisht riorganizimeve të paralajmëruara, NATO-ja ka theksuar se mandati i KFOR-it dhe angazhimi i saj për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës mbeten të pandryshuara.