Greqia dhe mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, shprehu mbështetjen për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE, duke shpresuar që Greqia, e cila do të marrë drejtimin e Këshillit të BE-së në korrik 2027, të punojë për zgjerimin e Bashkimit.

Në Athinë, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të përpunuara në rrugën drejt anëtarësimit dhe tha se pret që presidenca greke të punojë për zgjerimin e Bashkimit Europian. Greqia do të marrë drejtimin e Këshillit të BE-së në korrik 2027 dhe do ta mbajë deri në dhjetor, pikërisht kur Tirana synon të mbyllë negociatat.
Komisionerja Kos dha këtë mesazh në takimin e grupit "Miqtë e Ballkanit Perëndimor", të thirrur nga ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis. Para ministrave të mbledhur në Athinë, Kos vlerësoi dy vende të rajonit për ecurinë e negociatave. "Mes katër vendeve që kryesojnë, dy janë nga Ballkani Perëndimor, Mali i Zi dhe Shqipëria. Shpresoj që kjo të i nxitë edhe vendet e tjera të arrijnë rezultate", tha Marta Kos.
Tre vjet më parë, Greqia e kushtëzoi mbështetjen për hapin e radhës të Shqipërisë në negociata me çështjen e Fredi Belerit. Sot Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj. Për 31 të tjerët, udhërrëfyesi i Komisionit parashikon që Tirana të përmbushë kushtet në kohë dhe BE-ja të verifikojë rezultatet. Nëse ky kalendar respektohet, kapitujt e fundit do të mbyllen gjatë presidencës greke.