Atmosfera e Krishtlindjeve mbërrin në Shtëpinë e Bardhë me bredhin 20-vjeçar
Melania Trump ka çelur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë duke mirëpritur bredhin tradicional festiv, i cili këtë vit është plot 18 metra i lartë.

Melania Trump ka çelur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, duke mirëpritur bredhin tradicional festiv, i cili këtë vit është plot 18 metra i lartë. Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shfaq elegante me një pallto-fustan me kuadrate të kuqe dhe të bardha, të kombinuar me këpucë me taka në ngjyrë bordo, ndërsa doli përpara rezidencës presidenciale në Uashington për të pritur pemën e Krishtlindjeve.
Bredhi, i llojit Concolor, ka udhëtuar qindra kilometra nga ferma familjare “Silent Night Evergreens”, në Endeavor të Wisconsin-it. Ai do të vendoset në Dhomën Blu të Shtëpisë së Bardhë, ku do të jetë elementi qendror i dekorimeve festive të këtij viti. Pema është pothuajse 20-vjeçare dhe, kur u përzgjodh në fermë gjatë muajit shtator, ishte rreth 30 metra e lartë.
Tema e zgjedhur për dekorimet e këtij viti është “America in Bloom” (Amerika në lulëzim), ndërsa detajet e plota të zbukurimeve ende nuk janë bërë publike. Në ditët në vijim, vullnetarët do të angazhohen për të dekoruar ambientet e rezidencës presidenciale. Rezultati përfundimtar pritet t’u prezantohet gazetarëve më 30 nëntor.