Shqipëria dhe Mali i Zi në prag të anëtarësimit në BE
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, vlerëson se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor me perspektivën më të afërt për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Shqipëria dhe Mali i Zi po shihen si dy vendet e Ballkanit Perëndimor me perspektivën më të afërt për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit "Miqtë e Ballkanit Perëndimor" në Athinë, vlerësoi se rajoni po i afrohet një zhvillimi të rëndësishëm, me mundësinë që vendet e para të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e unionit.
Blanar deklaroi se jemi në një moment historik kur mund të arrijmë anëtarësimin e të paktën dy vendeve të tjera, që janë mjaftueshëm të përgatitura për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave dhe për të kaluar te traktati i anëtarësimit, përkatësisht Mali i Zi dhe Shqipëria. Zgjerimi i BE-së me vende të Ballkanit Perëndimor do të kishte një rëndësi të veçantë për qytetarët e rajonit, pasi do të dëshmonte se perspektiva europiane nuk është thjesht një premtim, por një objektiv që mund të realizohet.
Në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor, Blanar theksoi se procesi i zgjerimit po merr gjithnjë e më shumë karakter politik. Sipas tij, përparimi i vendeve kandidate nuk varet më vetëm nga përmbushja e kritereve teknike, por edhe nga vullneti dhe konsensusi politik i vendeve anëtare. Ministri i Jashtëm i Sllovakisë u bëri thirrje shteteve të Bashkimit Europian që të mos lejojnë që konfliktet dhe mosmarrëveshjet dypalëshe të mbartura nga e kaluara të ndikojnë në rrugëtimin europian të vendeve kandidate.