Tre tankerë përfshihen nga flakët në Ngushticën e Hormuzit, Irani akuzon mina detare
Tre anije cisternë nafte janë përfshirë nga flakët pas shpërthimeve të fuqishme në Ngushticën e Hormuzit, me dyshime se janë goditur nga mina detare gjatë përpjekjeve për të kaluar nëpër këtë korridor strategjik detar.

Tre anije cisternë nafte janë përfshirë nga flakët pas shpërthimeve të fuqishme në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina detare gjatë përpjekjeve për të kaluar nëpër këtë korridor strategjik detar. Lajmi u bë i ditur të dielën nga Garda Revolucionare e Iranit, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.
Sipas autoriteteve iraniane, incidentet kanë ndodhur gjatë orëve të fundit në pika të ndryshme të Ngushticës së Hormuzit. Sipas versionit të Teheranit, një nga tankerët është goditur pranë bregdetit jugor të ngushticës, ndërsa dy të tjerët ndodheshin në pjesën lindore të saj. Shpërthimet kanë shkaktuar zjarre në të tre anijet.
Garda Revolucionare pretendon se tankerët po lundronin nën mbrojtjen dhe shoqërimin ajror të forcave ushtarake amerikane, por kjo nuk arriti të parandalonte incidentet. Teherani akuzoi gjithashtu Uashingtonin se nuk arriti të garantonte sigurinë e anijeve gjatë kalimit në këtë zonë.
Megjithatë, informacioni për tre incidentet dhe rrethanat e tyre nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Deri tani nuk janë bërë publikë emrat e anijeve, flamujt nën të cilët lundronin apo ngarkesat që transportonin. Gjithashtu, nuk ka të dhëna për persona të lënduar mes ekuipazheve.
Ngushtica e Hormuzit përbën një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj transportohet një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit natyror që furnizon tregjet ndërkombëtare. Për këtë arsye, çdo incident në këtë zonë ngre shqetësime për sigurinë e furnizimeve energjetike dhe mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për tregjet globale.