Beteja e Tyson Fury-t me veten: rrëfimi tronditës i ish-kampionit botëror
Ish-kampioni botëror në boks, Tyson Fury, rrëfen për periudhën më të errët të jetës së tij, duke përfshirë skizofreninë, çrregullimin bipolar, varësitë dhe mendimet që e çuan drejt shkatërrimit pas triumfit ndaj Klitschkos në vitin 2015.

Tyson Fury, ish-kampioni botëror në boks, ka vendosur të zbulojë anën më të errët të jetës së tij, duke rrëfyer betejën e vështirë me shëndetin mendor, varësitë dhe periudhën kur, pavarësisht se ishte në majën e boksit botëror, jeta e tij po merrte një drejtim dramatik.
Në një dokumentar të publikuar në Netflix, Fury flet hapur për problemet e tij psikologjike, përfshirë skizofreninë dhe çrregullimin bipolar, të cilat u shfaqën pas fitores së madhe ndaj Wladimir Klitschkos në vitin 2015. Ai përshkruan me fjalë të forta gjendjen në të cilën ndodhej në atë periudhë, duke thënë se "nuk ka fjalë për të përshkruar errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte sikur të jetoja në një lloj ferri".
Rrëfimi bëhet edhe më tronditës kur Fury flet për halucinacionet dhe bindjet që e shoqëronin në atë periudhë. Ai dëgjonte zëra në kokë dhe mendonte se radioja po komunikonte drejtpërdrejt me të. Pas triumfit ndaj Klitschkos, jeta e Fury-t mori një kthesë të papritur, duke shtuar shumë në peshë dhe duke përballet me varësinë ndaj alkoolit dhe drogës.
Një nga momentet vendimtare të jetës së tij erdhi në vitin 2017, kur Fury kuptoi se kishte humbur kontrollin mbi jetën e tij. Ky ishte momenti që e shtyu të ndryshonte drejtim dhe të niste rrugën e rikthimit në boks. Përpjekjet e tij u shpërblyen në vitin 2020, kur mposhti Deontay Wilder dhe rifitoi titullin botëror në peshën e rëndë.
Tashmë, Fury përballet me një tjetër sfidë të madhe sportive, pasi përgatitet për duelin e shumëpritur britanik kundër Anthony Joshua-s, të planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff.