Shqipëria ka përqindjen më të lartë të vlerësimeve negative për institucionet publike në Ballkanin Perëndimor
Sipas një anketë, 40% e shqiptarëve mendojnë se puna e institucioneve publike është përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit, duke shënuar një rritje prej 13,2 pikësh përqindjeje.

Në Shqipëri, 39,2% e të anketuarve në vitin 2026 vlerësuan se cilësia dhe puna e institucioneve publike ishin përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit, nga 26% në anketën e vitit 2025. Rritja prej 13,2 pikësh përqindjeje ishte më e forta ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas anketës SecuriMeter të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Në të njëjtën kohë, përqindja e vlerësimeve pozitive për punën e institucioneve në Shqipëri ishin 1,7 pikë përqindjeje mbi ato negative në vitin 2025, ndërsa një vit më vonë, raporti u përmbys. Në anketën e vitit 2026, vlerësimet negative ishin 21,1 pikë përqindjeje mbi ato pozitive.
Pjesa më e madhe e të anketuarve në Shqipëri, 41,2%, thanë se puna e institucioneve kishte mbetur përafërsisht njësoj. Ky grup ishte vetëm dy pikë përqindjeje më i madh se grupi që pa përkeqësim. Një vit më parë, diferenca mes këtyre dy grupeve ishte 18,9 pikë përqindjeje.
Gjithashtu, përqindja e të anketuarve që e konsiderojnë korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur u rrit nga 86,6% në vitin 2025 në 92,1% në vitin 2026. Mesatarja e gjashtë vendeve të rajonit ra nga 81% në vitin 2025 në 76,5% në vitin 2026, duke e zgjeruar diferencën me Shqipërinë me rajonin në 15,6 pikë përqindjeje.
Në Ballkanin Perëndimor, vlerësimet negative u rritën nga 32% në 34%, një ndryshim më i vogël se në Shqipëri. Në vitin 2025, Shqipëria ishte 6 pikë përqindjeje nën mesataren rajonale dhe vetëm Kosova kishte një përqindje më të ulët të vlerësimeve negative. Në vitin 2026, Shqipëria doli 5,2 pikë mbi mesataren.