Dokumenti historik i Kongresit të Manastirit: dy alfabetet për gjuhën shqipe
Studiuesi Aurel Plasari publikon dokumentin e Kongresit të Manastirit, ku tregohet se u lejua përdorimi i dy alfabeteve për gjuhën shqipe.

Studiuesi Aurel Plasari ka publikuar një dokument të vjetër ku tregohen dy alfabetet për të cilat u dakordësua përdorimi gjatë Kongresit të Manastirit më 1908. Në përvjetorin e Ditës së Alfabetit, Plasari rendit faktet historike që tregojnë çfarë u vendos. Plasari shpjegon se nuk pati një "njësim" të alfabetit, siç shpesh thuhet, pasi edhe vendimi tregon nënshkrimin me alfabetin e Stambollit dhe jo "të riut" me bazë latine. Arritja e këtij Kongresi ishte largimi i alfabetëve të tjerë që përdorej duke e bërë më të thjeshtë. Me kohën, siç edhe vizioni i Kongresit tregoi, shqipja nisi të shkruhej me alfabetin më praktik që rezultoi të ishte ai me bazë latine. Komisioni i Alfabetit prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tri alfabeteve kryesore në përdorim në atë kohë, vendosën krijimin e një alfabeti "të ri" të shqipes me bazë atë latin. Mirëpo, në përfundim të Kongresit, për shkak të këmbënguljes së "stambollitëve", u vendos që të lejohej përdorimi i dy alfabeteve, i "të riut" me bazë latine dhe i alfabetit të Stambollit, të modifikuar, që mbahej me përhapje sidomos në jugun e Shqipërisë dhe gëzonte mbështetje të fortë. Pra, nga Kongresi i Manastirit shqiptarët dolën me dy alfabete, jo me një dhe pra jo me ndonjë "njësim" të Alfabetit të shqipes. Padyshim që edhe thjeshtimi i çështjes së shkrimit të shqipes me dy alfabete ishte hap pozitiv, sepse hiqte nga qarkullimi një numër jo të vogël alfabetesh të tjera eksperimentale me të cilat ishte provuar të shkruhej shqipja deri në atë kohë duke i ndërlikuar tejmasë marrëdhëniet me lexuesit. Komisioni i Alfabetit shprehte besimin që koha – nënkuptohej zhvillimi i shkrimit të shqipes – do të zgjidhte më të mirin ndër dy alfabetet, si dhe më praktikun ndër të dy sidomos për arsye tipografike. As Kongresi i Dyta i Manastirit, që u mbajt nga 2 deri 3 prill 1910, nuk e zgjidhi dot çështjen e dy alfabeteve, por propozoi mbledhjen e një kongresi tjetër për njësimin e alfabetit. Një kongres tjetër nuk qe i nevojshëm. Parashikimi i Komisionit të Alfabetit të Kongresit të 1908-s rezultoi realist dhe largpamës: rivalitetin mes dy alfabeteve e zgjidhi koha duke e hequr njërin syresh mënjëanë për t'ia lënë historisë.