Veliaj mungon në seancën gjyqësore, kërkon ndërhyrje për shëndetin e tij
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk është paraqitur në seancën gjyqësore në Gjykatën e Posaçme, duke shprehur arsyen e mungesës së tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sot po mbahet një seancë gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk është paraqitur në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Përmes avokatit të tij, Plarent Ndreca, Veliaj i ka përcjellë gjykatës një deklaratë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ku shpjegon arsyet e mungesës dhe kërkon ndërhyrjen e gjykatës për trajtimin e tij shëndetësor.
Në deklaratën e lexuar në seancë, Veliaj shprehet se, pavarësisht dëshirës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, e ka të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Ai bëri me dije se mbrojtja do t'u vërë në dispozicion gjyqtarëve dokumentacionin shëndetësor, ndërsa kërkoi që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet nga një mjek në spitalin e zgjedhur nga familja e tij.
Avokati Plarent Ndreca kundërshtoi vijimin e seancës, duke argumentuar se mbrojtja nuk mund të ushtrojë detyrën pa u konsultuar me klientin. Gjyqtarët kërkuan sqarime nëse Veliaj e kishte të pamundur të lëvizte, dhe Ndreca deklaroi se klienti i tij është me këmbë të thyer dhe lëviz gjatë gjithë kohës me paterica. Prokurori Ols Dado tha se Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë dhe se duhet të vijojë seanca, duke thënë se nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancën gjyqësore.