Katër persona ndalohen për vrasjen e Arlinda Zekajt
Policja e Kosovës ka ndaluar katër persona të dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, mes të cilëve janë vjehrra dhe kunati i saj.

Katër persona janë ndaluar nga policia lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt. Mes tyre janë Nurije Sylaj, vjehrra e viktimës, dhe Driton Sylaj, kunati i saj, të cilët dyshohen për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë. Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sipas së cilës ndalimet janë kryer me urdhër të prokurorit të Shtetit, pas veprimeve intensive hetimore. Dy nga të ndaluarit, Nurije Sylaj dhe Driton Sylaj, dyshohen për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, ndërsa dy personat e tjerë, me inicialet M. P. dhe G. B., dyshohen për dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale. Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që, sipas Prokurorisë, mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat dyshohen. Prokurori i çështjes ka vendosur gjithashtu zgjerimin e hetimeve, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të vrasjes së Arlinda Zekajt. Brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.