Avokatët e Hashim Thaçit: Do ta apelojmë vendimin e Gjykatës Speciale
Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke kundërshtuar mënyrën se si është llogaritur koha e kaluar në paraburgim për dënimin prej 17 muajsh.

Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk pajtohen me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin. Ata kundërshtojnë mënyrën se si Gjykata Speciale ka llogaritur kohën e kaluar në paraburgim për dënimin prej 17 muajsh.
Sipas avokatëve të tij, Thaçi do ta kishte shlyer tashmë dënimin nëse kjo periudhë do të ishte njohur. Avokatja Sophie Menegon ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës rezervon të drejtën për të kundërshtuar në Dhomën e Apelit vendimin lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.
Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e dënoi me 17 muaj burgim më 17 nëntor 2026. Megjithatë, gjykatësi vendosi që koha e kaluar në paraburgim nga ish-presidenti, në bazë të dy fletarrestimeve të veçanta, të mos llogaritej për të dy dënimet, pasi ato lidhen me vepra penale të ndryshme. Avokatët argumentojnë se, nëse Thaçit do t’i ishte njohur koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur dhe ai do të ishte liruar.