Hetimi për 5 punonjës të OSHEE-së pas zbulimit të ambientit nëntokësor me lëndë narkotike
Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre pas zbulimit të një ambienti nëntokësor me lëndë narkotike në fshatin Ganjollë.

Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre në vijim të hetimeve të operacionit të koduar “Labirinti”. Ky operacion zbuloi një ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe përpunimin e lëndës narkotike në fshatin Ganjollë. Sipas Policisë së Shkodrës, të proceduarit janë pesë punonjës të OSHEE-së Shkodër, të cilët janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjatë kontrolleve të zhvilluara një ditë më parë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 170 kilogramë lëndë narkotike, asgjësuan 2 600 bimë narkotike dhe arrestuan 10 persona. Hetimet për operacionin “Labirinti” vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.