Dy persona arrestohen për abuzim seksual ndaj 13-vjeçares shqiptaro-amerikane
Policia shqiptare ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në abuzim seksual ndaj një 13-vjeçare shqiptaro-amerikane nga Shkodra.

Rasti i rëndë i abuzimit seksual ndaj 13-vjeçares amerikano-shqiptare në Shkodër vijon të zbardhet, ndërsa Policia ka njoftuar ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Bëhet fjalë për një 46-vjeçar nga Tirana dhe një 49-vjeçar nga Fieri, ndaj të cilëve Gjykata ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg". Sipas Policisë, e mitura ishte larguar nga banesa dhe u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për trafikim dhe abuzim seksual me të miturën. Policia njofton se dy shtetasit janë dyshuar për kryerjen e veprave penale "Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur" dhe "Trafikimi i të miturve", të parashikuara përkatësisht nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.