41-vjeçari shqiptar dënohet me burg përjetë për vrasjen e gruas në Greqi
Gjykata në Trikala, Greqi, ka dënuar me burgim të përjetshëm një 41-vjeçar shqiptar për vrasjen e gruas së tij në prani të katër fëmijëve të tyre.

Gjykata në Trikala, Greqi, ka dënuar me burgim të përjetshëm Pandeli Nakolecin, një 41-vjeçar shqiptar, për vrasjen e gruas së tij, Marjola Nakoleci, në fund të gushtit 2025. Vrasja ndodhi në banesën e tyre në qytetin e Volosit, në prani të katër fëmijëve të tyre. Pandeli Nakoleci e goditi gruan e tij me një mjet kuzhine, duke i shkaktuar vdekjen.
Procesi gjyqësor nisi të enjten e kaluar dhe përfundoi të hënën, kur gjykata shpalli vendimin. I pandehuri u shpall fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore, dhe u dënua gjithashtu me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armës. Katër fëmijët e çiftit ishin të pranishëm në gjykatë gjatë procesit, por nuk u thirrën për të dëshmuar.
Gjatë gjyqit, pala e akuzës argumentoi se 41-vjeçari kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjike, verbale dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij. Prokuroria pretendoi gjithashtu se krimi ishte planifikuar dhe se autori kishte vepruar në mënyrë të qëllimshme, duke përdorur edhe mashtrimin. Në anën tjetër, i pandehuri u mbrojt duke pretenduar se vuante dhe vazhdon të vuajë nga probleme të shëndetit mendor, të cilat, sipas tij, e kishin çuar drejt kryerjes së krimit.