Trump Fal Dy Gjelat Presidenciale për Ditën e Falenderimeve
Presidenti amerikan Donald Trump ka falur dy gjelat deti, Freedom dhe Feathers, në prag të Ditës së Falenderimeve, duke i shpëtuar nga therja dhe konsumimi gjatë festës tradicionale amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vijuar një nga traditat më të njohura të Shtëpisë së Bardhë, duke falur zyrtarisht dy gjela deti, të pagëzuar me emrat Freedom dhe Feathers, në prag të festës së Ditës së Falenderimeve. Ceremonia u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump u dha të dy shpendëve faljen presidenciale, duke i shpëtuar nga therja dhe konsumimi gjatë festës tradicionale amerikane.
Presidenti deklaroi se po u jepte atyre një “falje të plotë, absolute dhe të pakushtëzuar”, që sipas tij do të thotë se do të jetojnë përgjithmonë. Ai tregoi gjithashtu se gjeli tjetër, Feathers, ishte larguar me vrap drejt shkurreve, por kjo nuk do të ndikonte në faljen e tij. Dy gjelat e këtij viti u rritën nga Scott dhe Becky Rightsell, në fermën e tyre në Fort Sybert, në shtetin e West Virginia-s.
Pas përfundimit të vizitës në Shtëpinë e Bardhë, dy gjelat do të udhëtojnë drejt College Station, në Teksas, ku do të kalojnë pjesën tjetër të jetës në Universitetin Texas A&M. Ky është viti i parë që gjelat presidencialë do të vendosen në Teksas pas ceremonisë së faljes. Universiteti ka përgatitur një ambient të posaçëm për ta, me kontroll të temperaturës, verandë dhe hapësirë të jashtme ku do të mund të qëndrojnë. Kujdesi i përditshëm për dy shpendët do t’u besohet gjashtë studentëve universitarë, të përzgjedhur posaçërisht për këtë detyrë.